Speeches Shim
Që kur pandemia goditi Kosovën në muajin mars, USAID-i dhe partnerët e tij kanë bashkëpunuar ngushtë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të zhvilluar, miratuar dhe zbatuar një kornizë të plotë të politikave e cila u mundëson gjykatave të zhvillojnë seanca gjyqësore onlajn. Para vetëm dy muajsh, gjykatat e Kosovës filluan mbajtjen e seancave të tyre të para përmes internetit. Deri më tani, pothuajse të gjitha gjykatat në Kosovë kanë pilotuar seanca gjyqësore onlajn dhe janë të gatshme të fillojnë me ndarjen e drejtësisë në këtë mënyrë të re.
"Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe unë i përgëzoj Kryetarët e Gjykatave që patën vullnetin të adoptojnë këtë trend të zhvillimit të seancave gjyqësore online dhe ta zbatojnë atë brenda gjykatoreve të tyre," deklaroi ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së misionit të USAID-it në Kosovë Zeinah Salahi, gjatë një evenimenti në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku ajo dorëzoi një donacion në pajisje teknologjike për gjykata të destinuar për t'u përdorur gjatë seancave gjyqësore onlajn. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Skender Çoçaj dhe Presidentja e Gjykatës Afërdita Bytyqi pranuan pajisjet në emër të gjykatave të Kosovës.
Donacioni i USAID-it në formë të pajisjeve teknologjike do t'u ndihmojë gjykatave të Kosovës t'i tejkalojnë sfidat praktike lidhur me zhvillimin e seancave gjyqësore në mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme gjatë një pandemie, duke hapur kështu rrugë për më shumë "drejtësi virtuale" në Kosovë. Seancat gjyqësore onlajn janë një mjet i rëndësishëm në dispozicion të qytetarëve të Kosovës për të patur qasje në drejtësi atëherë kur ata nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm në gjykatore -- qoftë për shkak të kufizimeve të udhëtimit, arsyeve shëndetësore, apo për shkaqe që kanë të bëjnë me shëndetin publik, siç është rasti tani gjatë një pandemie globale.
Ndihma teknologjike është pjesë e një nisme më të gjërë të USAID-it për të rritur qasjen e qytetarëve në drejtësi, ngritur nivelin e transparencës së gjyqësorit dhe siguruar që gjykatat e Kosovës të mund të vazhdojnë me ndarje të drejtësise brenda kohës së duhur. Ndihma e dhënë në të kaluarën ka përfshirë zhvillimin e aspekteve inovative të faqes së internetit të gjykatës, që u mundëson qytetarëve të Kosovës të paravlerësojnë koston e tarifave gjyqësore dhe gjobave penale nga komoditeti i shtëpisë së tyre.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.